Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, për nder të përvjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nderoi figurën e Adem Jasharit dhe gjithë familjes së tij.
Për këtë ai reagoi përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe datat 5, 6, e 7 Mars janë emblema e qëndresës, e luftës për çlirimin e atdheut deri në vetmohim.
Ai është gjallë, i gjallë në mendjet e zemrat tona, sepse trimëria e sakrifica e komandantit legjendar Adem Jashari e familjes së tij nuk mund të harrohet kurrë.
Ai ishte forca e udhërrëfyesi për të gjithë të rinjtë e të rejat që iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ishte pikërisht nga Prekazi heroik që u përhap lajmi në secilat troje të Kosovës, nga Jasharajt e tek çdo familje, se lufta nuk do të ishte e lehtë, porse për atdheun ia vlen të luftosh e të vdesësh deri në çlirim.
Lufta e tij, e grupeve të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare, qëndresa sypatrembur ndaj një pushtuesi e okupatori, e motivi i çiltër për çlirim, ishin arsyeja për të fituar përkrahjen e aleancës së NATO-s, duke i dhënë fund terrorit serb, e dritë shtetit të ri demokratik, Republikës së Kosovës.
Sot, Adem e Hamëz Jashari, jetojnë në mesin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në krenarinë e vullnetin e hekurt të ushtarëve, nënoficerëve e oficerëve tanë, të rejave e të rinjëve që denjësisht bartin emblemën e shqiponjës, simbolin tonë kombëtar, uniformën e trupave që së shpejti do të transformohen në Forca të Armatosura të Kosovës.
Shtet e ushtri, ishte pikërisht ëndërra e Ademit e Hamzës që është jetësuar e po konsolidohet çdo ditë e më shumë.
Me bacën Rifat në mesin tonë, me gjeneralejtënant Bashkim Jasharin në komandim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e kaluara është forcë ndërsa e ardhmja motiv për punë e përkushtim të pandalur.
Forca e Sigurisë së Kosovës është investimi ynë më i madh. Andaj nuk do të ndalim së ngrituri kapacitetet e saj.
Partnerët tanë strategjik, janë miqtë e Republikës së Kosovës me të cilët ndajmë një mision e po të njejtat vlera demokratike, andaj rruga jonë është në NATO, sepse i tillë është vullneti ynë.
Në ndihmë të së drejtës dhe kundër çdo shtypësi.
Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e atdheut!”, u shpreh Mehaj./FolDrejt/