Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka përkujtuar 33-vjetorin e mbajtjes së Kuvendit të pajtimit të gjaqeve.
Përmes një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se shtrirja e dorës së pajtimit dhe falja e mbi 1800 gjaqeve e më pas unifikimi në luftën kundër okupatorit serb ishin shembulli konkret se populli shqiptar është i pandalshëm e i pamposhtur po qe i bashkuar.
“Kanë kaluar 33 vjet që nga mbajtja e Kuvendit të pajtimit të gjaqeve te “Verrat e Llukës” së Deçanit, ngjarje kjo historike e besatimit të shqiptarëve ndërmjet njëri-tjetrit për të vazhduar rrugën para drejt lirisë, duke i vendosur në këtë mënyrë pengesa politikave fashiste serbe e duke i lënë vend bashkimit, luftës çlirimtare për pavarësinë e vendit.
Pjesë e traditës tonë si popull ka qenë gjithmonë besa, bujaria, mikpritja, andaj dhe shtrirja e dorës së pajtimit dhe falja e mbi 1800 gjaqeve e më pas unifikimi në luftën kundër okupatorit serb ishin shembulli konkret se jemi të pandalshëm e të pamposhtur po qemë të bashkuar. Kjo vlen edhe sot dhe do vlejë çdoherë!”, ka shkruar Mehaj në facebook./FolDrejt/