Ministri i Mrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë një thirrje për të gjithë qytetarët.
Përmes kësaj thirrjeje Mehaj ka ftuar qytetarët të kontribuojnë në Fondin e Sigurisë, përcjell Fol Drejt.
“KONTRIBUO NË FONDIN E SIGURISË PËR FORCËN DHE PËR ATDHEUN!
Sot nuk ka më pak heronj se sa ka pasur ndonjëherë më parë. Të jesh ushtar është çdoherë sfidë.
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk janë duke u trajnuar thjesht për lavdi. Atyre nuk u intereson sa medalje fitojnë, apo sa herë i shohin emrat e tyre në televizion apo në portale. Ata janë atje, në kazermë, në teren, çdo minutë të çdo dite duke u angazhuar për atë që besojnë. Trajnohen e ushtrojnë që niveli i tyre i përgatitjes të jetë i lartë, aq sa dhe vullneti i tyre për ruajten e paqes dhe garantimin e sigurisë për familjet e tyre dhe kombin në përgjithësi. Ne të gjithë duhet të jemi shumë krenarë për ta. Por të jesh krenar nuk mjafton. Duhet të kujtojmë se ata kanë nevojë për mbështetjen tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës përgjatë këtyre muajve ka investuar më shumë se çdoherë tjetër në avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ushtarakët tanë në vazhdimësi janë duke u pajisur me armatimet më moderne ushtarake, ndërsa oficerët e rinj po shkollohen në akademitë më të njohura botërore.
Shumë punë është bërë duke investuar deri 99 % më tepër se vitet paraprake në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Me investimet në pajisje por dhe plotësimin e tre ligjeve bazike për MM/FSK, më shumë të rinj nga mosha 18-25 vjeç do t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Diversiteti ynë është një nga pikat tona më të forta si Komb, dhe ne do të vazhdojmë të përpiqemi që ushtria e Kosovës të pasqyroj shoqërinë në çdo nivel brenda radhëve të saj. Sigurimi i mundësive të barabarta dhe një përfshirje më e madhe do të forcojë ushtrinë tonë, megjithatë në rrethanat aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, jemi të vetdijshëm se duhet bërë shumë më tepër, duhet kontribuar të gjithë së bashku në forma të ndryshme për ushtrinë që është mburoja jonë e hekurt.
Mërgata, pronarët e bizneseve por dhe qytetarët e thjesht të këtij vendi, shtresa e mesme e shoqërisë për nga të ardhurat por e lartë nga atdhedashuria, gjithmonë kanë qenë mbështetja më e madhe për çfarëdo lëvizje në mbrojtje të atdheut.
Sot, gjersa kemi ushtrinë dhe Republikën, na duhet mbështetja juaj për ta konsoliduar Forcën e Sigurisë së Kosovës në nivelin e ushtrive anëtare të NATO-s, kështu vlerat demokratike të shtetit tonë mbrohen, dhe jeta e çdo qytetari është e sigurt.
Prandaj, ju ftoj të kontribuoni në Fondin e Sigurisë, për interesat shtetërore, për forcën që do mbroj atdheun, do siguroj jetën tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve.
Ne të gjithë e kemi për obligim ta lëmë këtë vend më të mirë nga se e kemi trashëguar.
Ne e kemi për obligim të mbrojmë të ardhmen e kombit!”, është shprehur Mehaj në Facebook./FolDrejt/