Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në cilësi të Kryetarit të Këshillit Organizativ fton të gjithë qytetarët e vendit, bashkëkombësit dhe miqtë tanë ndërkombëtar për pjesëmarrje sa më masive në aktivitetet e planifikuara sipas agjendës shtetërore të Manifestimit Gjithëpopullor Tradicional në shënimin e 24 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, më 5,6 dhe 7 mars.
Manifestimi organizohet nën patronatin e Kryeministrit Kurti dhe përkujdesjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe me pjesëmarrje të të gjitha institucioneve shtetërore, qëndrore e lokale dhe organizatave të Luftës së UÇK-së, transmeton Fol Drejt.
Me këtë rast, Ministri Mehaj fton të gjithë që sa më masivisht, të kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Ushtrisë së Lavdishme e Madhështore Çlirimtare të Kosovës.
“Të kujtojmë dhe nderojmë betejën unike në historinë e Luftërave Çlirimtare, jo vetëm në historinë tonë kombëtare por edhe historinë botërore, luftën dhe flijimin e pashembullt të familjes emblematike Jashari me Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe gjithë Prekazin heroik. Kurr mos të harrojmë se, duke kujtuar dhe nderuar të kaluarën e lavdishme, të tashmen dhe të ardhmen, e kemi të sigurtë!” theksoi ndër të tjera Ministri Mehaj në adresimin e tij.
Gjithashtu, në tekstin në vazhdim keni edhe Agjendë shtetërore të aktiviteteve të Manifestimit.
5 mars 2022
11:00 Ceremonia e Rreshtimit të Njësive Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës
Vendi: Kazerma “Adem Jashari”, Prishtinë
12:00 Seancë solemne e Kuvendit e Republikës së Kosovës
12:00 – 15:00 Ditë e hapur për qytetarët e Republikës së Kosovës
Vendi: Kazerma “Adem Jashari”, Prishtinë
– Aktivitete me nxënës në shkollat e Republikës së Kosovës
– Seanca solemne në kuvendet komunale
6 mars 2022
09:00 Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”
12:00 Homazhe në komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së
11:00 – 17:00 Instalacion me fotografi dhe video: Historia e 5, 6 dhe 7 marsit
Vendi: Sheshi “Skënderbeu”, Prishtinë
17:00 Akademi përkujtimore Vendi: Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë, Prishtinë.
7 mars 2022
– Ora e parë mësimore i kushtohet Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
18:00 Manifestimi “Nata e Zjarreve”, koncert në sheshin “Adem Jashari”, Skënderaj
18:00 Ndezja e flakadanëve në 7 zonat e UÇK-së dhe në Kazermën “Adem Jashari”./FolDrejt/