Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në vazhdimësi të takimeve në Forumin për Bashkëpunim të Evropës Qendrore në fushën e Mbrojtjes, ka takuar ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kroacisë, Mario Banzovic.
Siç ka shkruar Mehaj në facebook, miqësia me shtetin kroat daton qysh herët, transmeton Fol Drejt.
“Si dy shtete që kemi një të kaluar të ngjashme, kuptojmë shumë mirë seriozitetin e situatës aktuale gjeopolitike dhe rëndësisë së bashkëpunimit të shteteve të Evropës në fushën e mbrojtjes, me theks të veçantë në Ballkanin Perëndimor, aty ku vërehen haptasi tendencat e ndikimit rus, andaj edhe pjesë e diskutimit ishte bashkëpunimi ndërmjet ministrive të mbrojtjes dhe forcave të të dyja shteteve përmes nënshkrimit sa më parë të marrëveshjes SOFA, që do thellonte dhe detajizonte bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime, duke kontribuar kështu në ruajtjen e paqes në rajon por edhe më gjerë.”, ka bërë të ditur ministri Mehaj.
Tutje, Mehaj ëshë shprehur se e ardhmja e Kosovës është pranë BE-së dhe NATO-s.
“E kaluara është mësim që nuk përsëritet më, andaj qëllimet tona janë të qarta, e ardhmja jonë është pranë familjes së madhe të Bashkimit Evropian dhe aleancës së NATO-s.
Në këtë rrugëtim kemi aleat Kroacinë, ashtu si edhe shumë shtete të tjera partnere që vlerësojnë pozicionimin proevropian të Republikës së Kosovës dhe të shtetasve tanë.”, ka shtuar ai./FolDrejt/