Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përkujtoi sot masakrën në fshatin Izbicë.
Për këtë ai reagoi në një postim në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Izbica nuk fshihet!
Në fshatin Izbicë të Skenderajt 24 vite më parë ndodhi njëra nga masakrat më makabre ndaj popullatës civile, në të cilën çetnikët serbë i vranë e më pas i masakruan mbi 150 civilë të pafajshëm.
Krimi bëhet edhe më i rëndë kur të masakruarit u zhvarrosën nga paramilitarët serbë për t’i varrosur në lokacione tjera në Serbi dhe Kosovë, me këtë tentuan që masakrën e Ibicës ta fshihnin dhe provat t’i zhduknin, kaq larg shkon mendësia kriminale serbe.
Mirëpo tentimi për fshehje të krimit u zbulua nga satelitët e NATO-së, kjo u bë e ditur në një konferencë për media të këtyre të fundit.
Serbia edhe sot e kësaj ditë mohon kryerjen e masakrës, jo vetëm të kësaj por edhe të dhjetra masakrave tjera mbi popullatën civile të Kosovës. Ajo me propagandën e saj mundohet të fsheh të kaluarën e saj gjenocidale, por ne nuk harrojmë asnjëherë do të jemi gjithmonë këtu për të kërkuar drejtësi e për të përkujtuar martirët e dëshmorët tanë.
Gjenocidi në Izbicë nuk mund të fshihet!
Lavdi martirëve të Izbicës!”, u shpreh Mehaj./FolDrejt/