Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se humbja tragjike e jetës së dy qytetarëve për shkak të vërshimeve në komunën e Pejës është lajm i rëndë dhe pikëllues për të gjithë, raporton Fol Drejt.
“Humbja tragjike e jetës së dy qytetarëve tanë për shkak të vërshimeve në komunën e Pejës, është lajm i rëndë dhe pikëllues për të gjithë ne. Sot ishim për ngushëllime në familjen e cila humbi dy më të dashurit e saj, jemi të prekur thellë nga kjo tragjedi që ka goditur secilin.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Ai tha se që nga momenti kur kanë marrë informacionet për vërshime, kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe në kontakt me autoritetet lokale. Mehaj Njoftoi se njësitet e kërkim-shpëtimit të FSK-së që nga mbrëmë kanë qenë në terren për të ndihmuar në përballimin e situatës.
“Gjithashtu sot së bashku me kryetarin e komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri dhe me Ministrin, z. Elbert Krasniqi, perfaqësues të AME-së, Policisë së Kosovës dhe FSK-së, kemi dalur në terren dhe kemi parë nga afër gjendjen, jemi në dispozicion me gjithë kapacitetet tona të për të ndërhyrë aty ku ka nevojë për t’iu shërbyer qytetarëve.”, shkroi tutje Mehaj.
Në fund ai ka falënderuar të gjithë për punën dhe sidomos qytetarët të cilët i kanë dalur në ndihmë njëri-tjetrit, ku ka uruar që kjo situatë të kalojë sa më shpej dhe me sa më pak pasoja. /FolDrejt/