Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet shpejt në NATO dhe BE duke marrë shkas edhe nga qëndrimi i Serbisë karshi pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Pasi krejt bota po e sheh pushtimin e Rusisë në Ukrainë, është e rëndësishme që të shihet nga afër që Serbia nuk po i vë sanksione Rusisë dhe nuk po i dënon sulmet. Serbia është aleat i njohur i Rusisë dhe shtet mik i tyre dhe këtë e kanë dëshmuar tani prapë”, ka shkruar Mehaj në Twitter.
“Një deklaratë e tillë nga Serbia do të duhej të dënohej nga demokracitë e botës. Një qëndrim i tillë nuk duhet të kalojë pa u vënë re. Serbia, me përkrahjen e madhe nga Rusia, e ka qasjen e njëjtë me shtetet e veta fqinje. Përmes Serbisë, Rusia po angazhohet në rajon për ta kërcënuar demokracinë”.
Mehaj ritheksoi nevojën e Kosovës për t’u bërë pjesë e këtyre dy bashkësive, duke kërkuar po ashtu që pas ngjarjeve të fundit shtetet që s’e kanë njohur Kosovën të reflektojnë dhe ta bëjnë një gjë të tillë.
“Prandaj është i rëndësisë jetike anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO dhe BE. Nuk ka kohë për t’u humbur dhe ne nuk duhet të presim që të ndodhë më e keqja e më pastaj të marrim vendi,e. Ne po ashtu u bëjmë thirrje shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën që t’i rikonsiderojnë vendimet e tyre”.