Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, u ka uruar mirëseardhje mërgimtarëve, me rastin e ardhjes së tyre në Kosovës, transmeton Fol Drejt.
Mehaj ka vlerësuar kontributin dhe dashurinë e tyre për atdheun duke thënë se Kosova është toka tek e cila kthehen sa herë që mërgimtarëve u jepet mundësia dhe krijohet hapësira për punë e zhvillim veprimtarish në atdhe.
“Të dashur mërgimtarë, mirësevini në Kosovën tuaj, në atdheun tonë të përbashkët.
Kosova është toka nënë tek e cila ktheheni sa herë që kemi mundësi dhe krijohet hapësira nga angazhimet me të cilat ngarkoheni në vendet në të cilat punoni e zhvilloni veprimtari.
Kosova është atdheu ynë nga ku kemi mësuar të duam vendlindjen dhe të respektojmë gjithë botën. Në verë kalendaret tona familjare dhe institucionale, mbushen me data të shenjuara për festa e shëtitje, vizita dhe pushime me familjarët dhe të afërmit tanë që jetojnë në mërgim.”, është shprehur Mehaj.
“Vera nuk është vetëm stina e pushimeve vjetore por edhe e bashkimeve familjare nga vizitat e motrave dhe vëllezërve, prindërve dhe familjarëve tanë që jetojnë jashtë Kosovës. Asnjë veti nuk e bën më të veçantë diasporën shqiptare se sa ideja e ngulitur thellë se një ditë, të gjithë mërgimtarët do të kthehen në vendin e tyre të origjinës. Ndër ta dhe vetë unë, që para më shumë se dy viteve, u ktheva në vendin tim për të kontribuar në insititucionet e Republikës sonë, me aq sa kam mundësi dhe kapacitet, duke u bazuar në përgatitjen dhe përvojen të cilën e kam fituar duke qenë në mërgim.
Qeveria e cila buron nga vullneti politik i qytetarëve këtu dhe gjithashtu i mërgimtarëve, mbështetja e të cilëve është përkthyer nga Qeveria në politika të mirëfillta shtetërore për diasporën. Sikur çdo vit edhe sivjet, qeveria jonë ka hartuar programe të veçanta për diasporën, ashtu që ditët verore që i kalojnë në atdhe, ta kenë edhe vulën shtetërore të Republikës së Kosovës, shtetit për të cilin mërgimtarët kanë dhënë tradicionalisht gjithçka.
Ju urojë pushime të këndshme të gjithëve!”, ka shtuar më tej./FolDrejt/