Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është duke marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit në Mbrojtje të Ukrainës në selinë e NATO-s në Bruksel, raporton Fol Drejt.
“Sot në Selinë e NATO-s në Bruksel jemi duke zhvilluar takimin e radhës në kuadër të Grupit të Kontaktit në Mbrojtje të Ukrainës, i cili drejtohet nga Sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Lloyd J. Austin III.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se gjatë këtij takimi edhe një herë ka rikonfirmuar mbështetjen e Kosovës për Ukrainën dhe përkushtimin për ruajtjen e paqes në rajon dhe më gjerë.
“Në margjina të kësaj ngjarje kemi takuar edhe homologët tanë nga vende të ndryshme si dhe jemi takuar me Sekretarin Gjeneral të NATO-s, Jens Stoltenberg me të cilin ndër tjera diskutuam edhe për situatën e sigurisë në Kosovë. Republika e Kosovës është krahë për krahë me mbi 50 shtete të cilat mbështesin Ukrainën në të drejtën e saj të patjetërsueshme.”, shtoi tutje Mehaj. /FolDrejt/