Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka përkujtuar 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke vënë theksin në faktorin ndërkombëtar dhe para së gjithash ndikimin e UÇK-së për intervenimin e këtij faktori ndërkombëtar.
“Dy ditë pasi ishte urdhëruar ndërprerja e bombardimeve 78 ditore të NATO-s mbi Jugosllavi më 10 qershor 1999, trupat e kësaj aleance u futën edhe si këmbësori në Kosovë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte arritur që me luftën e saj të drejtë të bind edhe faktorin ndërkombëtar që është ushtri e popullit dhe në shërbim të vendit. Gjatë përiudhës së luftës ne ishim në shërbim të organizimit dhe armatosjes së ushtrisë tonë.
Mes atyre 37 mijë trupave të përfshirë në kuadër të misionit të KFOR-it, të parët që hynë në Kosovë më 12 qershor 1999, ishin trupat ushtarake norvegjeze. Unë pata fatin të bëhem oficer pikërisht i Forcave të Armatosura të Norvegjisë. Atë kohë nuk e kisha menduar që pak vite më pas edhe vetë unë do të vija në Kosovë në kuadër të KFOR-it, ashtu siç nuk e kisha menduar që ndër vite do të përfshihesha në misione paqeruajtëse të NATO-s në shumë vende të botës.”, është shprehur Mehaj në një postim të tij në profilin zyrtar në Facebook.
“Përderisa sot shënojmë Ditën e Çlirimit të Kosovës, duke ushtruar detyrën e Ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës, kam fatin jetësor t’i shërbejë ushtrisë së vendit tim, në një kohë kur Forca e Sigurisë së Kosovës si pasuesja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po shndërrohet në ushtri moderne sipas standarteve të NATO-s. 24 vite më parë, NATO-ja i erdhi në ndihmë ushtrisë tonë vullnetare UÇK-së për ta çliruar Kosovën, kurse sot, pasardhësja e saj FSK-ja, po kthehet në një ushtri profesioniste që synon të anëtarësohet në NATO e t’i mbështet partnerët tonë krah për krah si ushtri e barabartë. Rruga jonë është drejt përmbushjes së amanetit të dëshmorëve, pra anëtarsimi në Nato. Këtë do ta arrijmë së bashku me partnerët tanë.
Mes kujtimesh për kohëra historike, për Ditën e Çlirimit, me nderime dhe krenari!”, ka shtuar Mehaj tutje./FolDrejt/