Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka ndarë mirënjohje për veprimtarin Nufri Lekaj e gazetarin norvegjez Pål S. Refsdal, transmeton Fol Drejt.
Mehaj ka vlerësuar lart kontributin e tyre për përfaqësimin dhe pasqyrimin e drejtë dhe dinjitoz gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Dy kombësi të ndryshme, por e nejta mendësi e këmbëngulje për të ofruar gjithë qenien e tyre në shërbim të së mirës, të së drejtës, përkundër çdo vështirësie a rreziku.
Dy karaktere me të kaluar të ndryshme që ndërkombëtarisht bënë të ditur atë çfarë po ndodhte në Kosovë. Padrejtësinë nën okupimin serb, luftën e tmerrshme, të drejtat e mohuara dhe misionin çlirimtar të një organizate nën akronimin UÇK.”, ka thënë ndër tjerash Mehaj
Postimi i plotë i Mehajt:
Historia e lavdishme e popullit shqiptar do të ishte e pamundur të dokumentohej pa angazhimin direkt të veprimtarëve të çështjes kombëtare e të atyre që pasqyrimin e drejtë të ngjarjeve përveçse si detyrë profesioni e ndjejnë edhe si oblgim moral njerëzor e parim jetësor. Të tillë personalitete që marrin përmasa përtej qenies së tyre të vdekshme janë veprimtari Nufri Lekaj e gazetari norvegjez Pål S. Refsdal.
Dy kombësi të ndryshme, por e nejta mendësi e këmbëngulje për të ofruar gjithë qenien e tyre në shërbim të së mirës, të së drejtës, përkundër çdo vështirësie a rreziku.
Dy karaktere me të kaluar të ndryshme që ndërkombëtarisht bënë të ditur atë çfarë po ndodhte në Kosovë. Padrejtësinë nën okupimin serb, luftën e tmerrshme, të drejtat e mohuara dhe misionin çlirimtar të një organizate nën akronimin UÇK.
Ishte Nufriu ai që si student i përndjekur nga regjimi serb e i emigruar në Norvegji, si drejtues në emigracion i Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe përgjegjës i Grupit për Ballkanin në Komitetin Norvegjez të Helsinkit, bëri deklaratën publike për televizionin shtetëror norvegjez se UÇK ekziston si mjet i fundit për imponimin e çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare dhe si katalizatore për çlirimin e saj.
Ai u pushua nga puna pas kësaj deklarate, mirëpo nuk u ndalë, inicioi konsolidimin e Bashkësisë Shqiptare në Norvegji, duke bërë bashkë kështu diasporën shqiptare pa dallim bindjesh politike dhe fetare me një qëllim të vetëm, në përkrahje logjistike, politike dhe diplomatike të UÇK-së.
Përmes Nufriut e bashkëpunëtorëve të tij u pasqyrua politikisht çështja e Kosovës dhe lufta çlirimtare e UÇK-së, ndërsa përmes kronikave dhe lensit të aparatit fotografik të gazetarit Pål S. Refsdal, u paraqitë vizualisht e vërteta e zhveshur nga politikat shoviniste serbe. Misioni çlirimtar si i vetmi mision i UÇK-së, dhe lufta gjenoicidale e Serbisë.
Të tillë personalitete janë të rralla andaj dhe kontributi i tyre nuk mund të kaloj pa u vlerësuar. Kësisoj në shenjë respekti për angazhimin e tyre të pashembullt, në emër timin si Ministër i Mbrojtjes, u ndava mirënjohje për përfaqësimin dhe pasqyrimin e drejtë e dinjitoz që në kohë lufte ishin mbrojtja e domosdoshme.
Mirënjohës përjetë!