Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në shënim të 15-vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka thënë se akti më i lartë juridik e definon qëndrimin e vendit si shtet për shtrirje të rendit e ligjit, raporton Fol Drejt.
“Sot shënojmë 15 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si aktin më të lartë juridik që në mënyrë të qartë definon qëndrimin tonë si shtet për shtrirje të rendit e ligjit, e synimet tona proevropiane si vend i lirë e demokratik në shërbim të paqes e stabilitetit në vend e rajon.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se preambula e Kushtetutës nuk le hapësirë për dilema, shkurtimisht përkufizon orientimin tonë si shtet i lirë e barabarësinë para ligjit në çdo rrethanë dhe në çdo kohë:
“Ne, Populli i Kosovës, Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet; Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit; Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social; Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje; Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në Botë. Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike; Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”
“Obligimi ynë është që ta ruajmë dhe ta mbrojmë sovranitetin i cili buron nga sakrifica shumëvjeçare e popullit tonë.”, shtoi në fund Mehaj. /FolDrejt/