Ministri i Mbrojtjes i Kosovës Armend Mehaj, qëndroi sot për vizitë në familjen e dëshmorit Agim Zeneli.
Për këtë ai njoftoi përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Në Gjakovë vizitë familjes së dëshmorit, Agim Zeneli.
Në këtë përvjetor të rënies heroike të dëshmorit, vizituam familjen Zeneli. Në konakun e tyre na priten familjarët, nder i veçantë të takojë e bisedoj me nënën Gjykë, nëna e dëshmorit e cila edhe pse e shtyer në moshë mbahej ende e fortë dhe me shëndet të mirë.
Është pikërisht meritë e nënave tona, fakti që ne kishim bija e bijë atdhetarë të cilët nuk kursyen asgjë për të çliruar vendin. Falë edukimit të cilën e morën nga loket tona, ata përherë i shërbyen atdheut.
Agimi si i ri u detyrua të marrë rrugën e mërgimit për shkak të përndjekjes së vazhdueshme që bëheshin ndaj familjes së tij, por edhe nga gurbeti nuk u ndal në organizimin e mbledhjes së fondeve për organizimin e rezistencës së armatosur, e më pas kthehet në Kosovë për të veshur uniformën e për të luftuar kundër okupatorit serb.
Ai shquhej për guximin dhe vendosmërinë që kishte. Këtë e dëshmon edhe ditari i tij, në një pjesë të së cilit shkruhej: “Më mirë të na rrojnë fëmijët, qoftë edhe pa prindër por në liri, se sa me prindër e në robëri”.
Lirinë e donte më shumë se jetën, Agimi luftoi pa u kthyer asnjë hap prapa deri në rënien e heroike të tij. Ai dhe shokët e tij do të mbeten përherë krenaria jonë më e madhe. Rrugën e tyre do ta ndjekim gjithmonë.
Lavdi!”, u shpreh Mehaj./FolDrejt/