Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në prani të përfaqësuesve të vendeve mike ka nënshkruar Direktivën për zbatimin e Politikës për Planifikim, Programim, Buxhetim dhe Ekzekutim, shkruan Fol Drejt.
“Sot Ministria e Mbrojtjes shënoi një hap të rëndësishëm në aspektin e zhvillimin afatgjatë të Strategjisë së Menaxhimit të Sistemit të Mbrojtjes. Në prani të përfaqësueses së Ambasadës Amerikane, Chargé d’affaires, znj. Alyson Grunder, sot nënshkrova Direktivën për zbatimin e Politikës për Planifikim, Programim, Buxhetim dhe Ekzekutim, si një dokument strategjik thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve institucionale të mbrojtjes në një periudhë afatgjate, i hartuar pas një analize të detajuar ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbështetur nga Ambasada Amerikane, përmes angazhimit të Këshilltarit për PPBE, Joe Duncan, si pjesë e Programit Global të Reformës së Mbrojtjes.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj tha se ky dokument ka shtatë shtylla kryesore dhe dyzet e një objektiva të cilat në mënyrë direkte mbështesin zbatimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit, duke ndërtuar dhe përmirësuar kështu sistemet e menaxhimit të mbrojtjes, gjersa Ministria e Mbrojtes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet me synimin e vazhdueshëm në jo vetëm garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen teritoriale, por gjithashtu dhe përmbushjen e objektivës për të qenë anëtar i vyeshëm i aleancës së NATO-s.
“Po krijojmë një sistem të detajuar e të përgjegjshëm për menaxhimin e mbrojtjes që do zbatohet në mënyrë rutinore, duke shpërndarë dhe përdorur në mënyrë efikase burime për të arritur aftësitë e dëshiruara për forcën e ardhshme.”, shtoi Mehaj. /FolDrejt/