Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë qëndrimit të tij në Kroaci ka nënshkruar Marrëveshje Kornizë për Bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes me ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banožić, shkruan Fol Drejt.
“Me rastin e pjesëmarrjes në Ekspozitën dhe Konferencën e ASDA, takova Ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, z. Mario Banožić, me të cilin nënshkruam Marrëveshje Kornizë për Bashkëpunim në fushën e Mbrojtjes, ndërsa diskutuam për shumë çështje relevante me situatën aktuale gjeopolitike, duke përfshirë ndikimin rus në Ballkan, domosdoshmërinë e unitetit përballë tendencës për destabilizim dhe cënim të vlerave demokratike, investimin e përbashkët në fusha strategjike përsa i përket sigurisë dhe mbrojtjes për të garantuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj tha se ka theksuar dhe njëherë para ministrit Banožić se Kosova është falenderuese për mbështetjen e deritanishme nga ana e shtetit kroat, ndërsa ka thënë se vendi ynë mbetet i përkushtuar për bashkëpunim të mëtutjeshëm, ofrim të trajnimeve në fushën e kërkim-shpëtimit si dhe të deminimit.
Nga ana tjetër, ministri kroat ka shprehur vlerësimin e tij për hapat e ndërmarr nga ana e Kosovës për zhvillimin e ushtrisë, e po ashtu faktin se po ngriten kapacitetet ushtarake përmes blerjeve direkte shtet më shtet në përputhje me standardet e NATO-s.
Ndër të tjera, ministri kroat ka garantuar mbështetje të pakursyer për Kosovën dhe të ardhmen e saj evropiane. /FolDrejt/