Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se ka nënshkruar memorandum bashkëpunimit me Odën Ekonomike të Kosovës për ta zgjeruar nismën që synon përmirësimin e mirëqenies së ushtarëve, shkruan Fol Drejt.
“Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimit me OEK-un për ta zgjeruar nismën që synon përmirësimin e mirëqenies së ushtarëve. Oda Ekonomike e Kosovës, e kryesuar nga kryetari i saj, Lulzim Rafuna, u bënë pjesë e iniciativës që ka për qëllim bashkëpunimin me biznese, për zbritjet që do të ofrohen në produktet dhe artikujt e tyre për stafin ushtarak.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se të qenit institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend është përgjegjësi e madhe, që kërkon sakrificë e përkushtim, vlera këto që personifikojnë çdo ushtar të Republikës, puna e të cilëve nuk kufizohet në korniza, por reflekton për gatishmërinë me të cilën secili prej tyre i përgjigjet detyrës.
Ministri tha se për këtë u jemi mirënjohës të gjitha shoqatave dhe bizneseve që pa asnjë hezitim u bënë palë në përpjekjet tona që ushtarakët të trajtohen me respekt dhe dinjitet, ashtu siç edhe e meritojnë. /FolDrejt/