Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, deklaroi në Shtutgart të Gjermanisë se Kosova ka për synim kryesor aderimin në NATO dhe BE.
Në fjalimin e tij në konferencën “ISOA 2022”, ministri Mehaj tha se situata destabilizuese e sigurisë në Rusi dhe Ukrainë, prek Evropën dhe Ballkanin.
“Kosova mbështet fuqishëm Ukrainën dhe dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë. Ne qëndrojmë të vendosur përkrah partnerëve tanë dhe vlerave të demokracisë. Synimi kryesor i vendit tonë është anëtarësimi në NATO dhe BE. Kjo çështje shkon përtej politikës, ky është përafrim i natyrshëm me vlerat që ne, populli i Kosovës i përmbahemi”, tha Mehaj.
Mehaj theksoi se Kosova ka krijuar 10 zona të lira ekonomike që ofrojnë lokacion të favorshëm gjeografik, mjedis të favorshëm biznesi, kosto më të ulëta operative, infrastrukturë të gatshme për shfrytëzim, dhënie me qira të lokaleve afariste dhe kushte të tjera të favorshme.
“Për këtë arsye, ftoj secilin prej jush të vini në Kosovë dhe të shihni potencialin për investime dhe mundësitë për bashkëpunim”, tha ai.
Gjatë kësaj konference, ministri Mehaj do të takohet edhe me personalitete të shquara ushtarake amerikane, liderë të kompanive të njohura të industrisë së mbrojtjes amerikane, ekspertë etj.
ISOA është asociacioni i prodhuesve më të mëdhenj amerikanë të industrisë së mbrojtjes.