Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas homazheve në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan në 24-vjetorin e masakrave serbe në këto fshatra ka thënë se Kosova duhet të bëjë gjithçka që ka në dorë në mënyrë që Serbia të paguajë për këto krime dhe kriminelët të marrin dënimin e merituar, shkruan Fol Drejt.
“Sot së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti dhe me ministra të kabinetit qeveritar, kemi bërë homazhe në nderim të mbi 120 civilëve në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan, të cilët ishin vrarë nga forcat paramilitare serbe.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se këto krime të shtetit kriminal serb, kanë mbetur ende të pandëshkuara, ashtu siç kanë mbetur edhe qindra masakra e krime tjera të cilat Serbia i ka kryer mbi popullin shqiptar të Kosovës.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë si shtet që të bëjmë Serbinë të paguaj për këto krime dhe kriminelet të marrin dënimin e merituar.
Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi, nuk do të harrojmë dhe nuk do të falim gjakun e derdhur për liri.”, shtoi tutje Mehaj. /FolDrejt/