Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se sot ka vizituar familjen e dëshmorit Nexhmush Elezi nga komuna e Kaçanikut, shkruan Fol Drejt.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës në radhët e saj kishte shumë të reja e të rinjë të cilët kishin veshur uniformën e ushtrisë dhe po luftonin në mbrojtje të atdheut. Vetëm 19 vieçar ishte Nexhmushi kur u inkuadrua në UÇK, vendosmëria dhe vullneti i tij ishte mbi gjithçka tjetër.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se gjatë vizitës në familjen e tij, nëna Habibe ka rrëfyer një diskutim me Nexhmushin të cilit i kishte thënë:” Je i ri në moshë, nuk ke përvojë dhe as armatim nuk ka sa duhet”, Nexhmushi i përgjigjet:” Nuk ka rëndësi nëse kemi armatim apo jo, edhe me gurë do të luftojë nëse është nevoja, por nga ushtria nuk ndahem”, ky vullnet e ky guxim dëshmon më së miri përkushtimin dhe dashurinë ndaj atdheut.
“Me 9 prill ra dëshmor Nexhmushi, në po të njëjtën ditë ranë heroikisht edhe 27 dëshmorë të tjerë dhe 32 martirë. Ne jemi falënderues e mirënjohës gjithmonë për sakrificën dhe kontributin e të gjithë dëshmorëve dhe familjeve të tyre. Vepra e tyre do të jetojë përgjithmonë.”, shtoi Mehaj në fund. /FolDrejt/