Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar lidhur me hapjen e bibliotekës së figurës së njohur shqiptare, Adem Demaçit.
Me anë të një postimi në Facebook, Mehaj ka kërkuar që për aq kohë sa do të vazhdojë të jetë e hapur kjo bibliotekë, të shfrytëzohet në maksimum koha për të lexuar nga ajo.
“Sot është hapur për lexim biblioteka e bacës Adem Demaçi. Për këto ditë sa do të vazhdojë të jetë e hapur, duhet të shfrytëzohet në maksimum koha që është në dispozicion për të lexuar bibliotekën e bacës Adem.
Ku më mirë se në këtë bibliotekë mund të mishërojmë vetën me parimet, koceptet e bindjet e bacës Adem. Atë mund ta gjejmë në shkrime, artikuj dhe libra që na i la pas dhe të cilat i rezistojnë kohës e mbeten gjithnjë me vlerë të jashtëzakonshme. “, është shprehur Mehaj.
“Këtë pasuri kombëtare duhet ta ruajmë e ta përcjellim edhe tek brezat e ardhshëm sepse duke përvetësuar qëndrimet e bacës Adem dhe duke vepruar në bazë të tyre, sigurohemi që jemi duke i shërbyer vendit me plot qenien tonë.”, ka shtuar Mehaj më tej./FolDrejt/