Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se është duke vazhduar implementimi i programit “Edukim për Siguri” në tetë kazerma të FSK-së, raporton Fol Drejt.
“Po vazhdon implementimi i programit “Edukim për Siguri” në tetë kazerma të FSK-së, me ç’rast instruktorët janë duke ligjëruar para nxënësve temat e parapara sipas planit për këtë vit shkollor, duke përfshirë këtu edhe pjesën praktike.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Ai tha se Kazerma “Adem Jashari” në Prishtinë dhe “Lidhja e Prizrenit” në Prizren, ishin dy kazermat të cilat ka pasur rastin t’i vizitonte për të parë nga afër të rinjtë gjithë entuziazëm teksa marrin njohuri bazike rreth sigurisë e mbrojtjes, armatimeve dhe mjeteve shpërthyese.
“Njohuritë e përfituara gjatë kësaj periudhe do të jenë mësim jetësor për të gjithë nxënësit, përderisa do t’i shërbej dhe sigurisë së vendit.”, u shpreh tutje Mehaj. /FolDrejt/