Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka kërkuar që të vihen sanksione edhe ndaj Serbisë.
Për këtë Mehaj shkroi në një postim në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Sanksione jo vetëm ndaj Rusisë por edhe Serbisë që ndjek politikat ruse!
Gjatë takimit me parlamentarin gjerman, Dr.Christoph Plob dhe ambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Jörg Rohde, diskutuam rreth situatës aktuale gjeopolitike, ndikimit rus në Ballkan, dhe zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës.
Përparimet që Republika e Kosovës ka bërë sa i përket luftimit të korrupsionit duke u ngritur për 17 vende sipas matjeve të bëra nga Transparency International, si dhe duke u renditur e para në mesin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor për sundimin e ligjit, rezultate këto që flasin për një shtet dhe qeveri funksionale në shërbim të qytetarëve dhe të interesave të kombit.
Po ashtu biseduam rreth avancimeve të ushtrisë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, gatishmërisë që kemi shprehur në vazhdimësi për të ofruar mbështetje në operacionet ndërkombëtare, për transportimin e afganëve si dhe trajnimin e ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të lëndëve të rrezikshme.
Theksova edhe njëherë se synimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe BE, në të cilin rrugëtim kërkojmë mbështetjen e secilit shtet mik, pra edhe të Republikës Federale të Gjermanisë.
Pozicionimi ynë është i qartë, në mbështetje gjithmonë të vlerave demokratike, larg tendencave serbo-ruse për destabilizim të Ballkanit, rrjedhimisht dhe Evropës.
Sanksionet duhet vendosur jo vetëm ndaj Rusisë por edhe Serbisë që verbërisht ndjek politikat ruse”, u shpreh ai./FolDrejt/