Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës zyrtare në Itali ka takuar ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Italisë, Guido Crosetto, me të cilin ka diskutuar rreth bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, edukimit dhe trajnimit të ushtarakëve në fusha specialistike, forca speciale, aviacion dhe mjekësi, shkruan Fol Drejt.
“Gjatë vizitës zyrtare në Itali, takova Ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Italisë, Guido Crosetto, me të cilin diskutuam rreth bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, edukimit dhe trajnimit të ushtarakëve tanë në fusha specialistike, forca speciale, aviacion e mjekësi. Ndërsa shpreha edhe njëherë gatishmërinë në ofrimin e trajnimeve në fushën e kërkim-shpëtimit urban, deminimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.
Përveç të tjerash biseduam dhe për situatën aktuale gjeopolitike, luftën në Ukrainë, dhe rëndësinë e unitetit për mbështetjen e ukrainasve në luftën kundër agresorit rus.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se ministrit italian ia ka bërë të ditur se Kosova mbanë qëndrim të qartë kundër politikave ruse, dhe në vazhdimësi si pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, është duke ofruar gjithçka që është e mundshme brenda kapaciteteve, duke përfshirë pranimin e refugjatëve si dhe integrimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë dhe po ashtu ofrimin e trajnimeve me instruktor specialist të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit.
“Falenderova ministrin për mbështetjen e deritanishme ofruar nga shtetit italian, ndërsa do vazhdojmë thellimin e këtij bashkëpunimi që është në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të gjithmbarshëm.”, tha në fund Mehaj. /FolDrejt/