Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar sot me përfaqësuesin special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach dhe ambasadorin britanik Nicholas Abbot,raporton Fol Drejt.
“Me z. Peach diskutuam për sfidat e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë. E njoftova z. Peach për gjendjen e sigurisë në vend dhe ndikimin e Rusisë në rajon, me theks të veçantë, ndikimin e Rusisë në politikbërjen e Serbisë si dhe në strukturate saj kriminale të cilat e kanë për qëllim destabilizimin e gjendjes së sigurisë në Ballkanin Perëndimor.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj tha se ja njoftuar emisarin Peach për bashkëpunimin e ngushtë në mes Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe si dhe zhvillimet në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Nga ana e tij, Stuart Peach, ka vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm në mes të dy vendeve, në veçanti bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes si dhe ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës së sigurisë në komunat veriore të Kosovës.
“Së bashku u pajtuam që kthimi i gjendjes në normalitet dhe zbutja e tensioneve është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Respektimi i ligjit dhe kushtetuetshmërisë së vendit është detyrë e secilit qytetarë të Republikës së Kosovës.”, u shpreh në fund Mehaj. /FolDrejt/