Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Ilhan Saygili, me të cilin ndër të tjera kanë diskutuar mbi bashkëpunimin në fushën e diplomacisë ushtarake, shkruan Fol Drejt.
“Në takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Ilhan Saygili diskutuam për çështjen e bashkëpunimin në fushën e diplomacisë ushtarake, mbështetjen që Turqia mund të ofroj sa i përket lobimit për njohje të reja, integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euro-atlantike, në Programin e Partneritetit për Paqe dhe në NATO.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj tha se drejtori Saygili ka shprehur falenderimin e tij për ndihmën që Kosova i ka ofruar Turqisë me rastin e tërmeteve, ku FSK-ja ka ofruar asistencë përmes ekipeve të specializuar të kërkim-shpëtimit në nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat por edhe viktimave të tërmetit.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin me partnerët tanë strategjik në përmbushjen e vizionit për të qenë kontribues aktiv në çështjen e mbrojtjes dhe sigurisë jo vetëm në vend por dhe në rajon e më gjerë.”, shtoi Mehaj në fund. /FolDrejt/