Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar homologun e tij nga Mali i Zi, Filip Adxhiq, me të cilin diskutuan bashkëpunimin ndërshtetëror në shumë fusha, shkruan Fol Drejt.
“Në takim me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe njëherazi ushtruesin e detyrës së Ministrit të Mbrojtjes të Malit të Zi, Filip Adžić, diskutuam rreth bashkëpunimit fqinjësor në fushën e Smart Defense, zhvillimit të kapaciteteve ushtarake profesionale përmes realizimit të ushtrimeve dhe trajnimeve të përbashkëta ndërmjet dy ushtrive, e po ashtu diskutuam rreth ushtrimit fushor Defender ’23, si ushtrimin më të madh ndërkombëtar ku Republika e Kosovës është nikoqire.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se ka njoftuar homologun e tij rreth zhvillimeve të FSK-së, fazën ku ajo ësghtë aktualisht në zbatimin e Planit të Përgjithshëm të Tranzicionit, ndryshimet ligjore, rekrutimet e fundit e gjithashtu për synimet e qarta për anëtarësim në nismat rajonale, në A5, RACVIAC dhe në Programin e Partneritetit për Paqe.
“Në anën tjetër Ministri Adžić theksoi se agresioni rus në Ukrainë ka qenë mesazh se duhet ndryshuar mënyrën e të funksionuarit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si shtete relativisht të vogla që duhet mbështetur njëra-tjetrën për të ruajtur stabilitetin e rajonit.”, thuhet tutje në njoftim.
Ministri Mehaj shtoi se bashkë me ministrin Adxhiq kanë vizituar Qendrën e Studimeve Universitare si dhe Qendrën e Kërkim-Shpëtimit në Pomozotin, nga ku Adxhiq ka shprehur vlerësimin e tij të lartë për profesionalizmin e pjesëtarëve të FSK-së si dhe faktin që kontigjenti i specializuar i saj është duke marr pjesë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi.
“Ministri Adžić theksoi se ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën por është në dorën tonë që të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët, e në këtë aspekt Mali i Zi është i gatshëm të mendoj jashtë kutisë, dhe se Republikën e Kosovës e sheh si shtet partner që përtej aspektit gjeografik, shtrirjes brenda Ballkanit Perëndimor na bashkojnë vlerat e përbashkëta demokratike, euro-atlantike të cilat përqafojmë e ndjekim, andaj edhe një herë ritheksoi se Republika e Kosovës do të ketë përkrahjen e Malit të Zi për anëtarësim në Programin e Partneritetit për Paqe si rrugë drejt anëtarësimit në NATO.”, thuhet në fund të njoftimit. /FolDrejt/