Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka pritur sot në takim ushtarakët e “Kursit të Lartë të Oficerëve” nga Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë i Republikës së Shqipërisë, transmeton Fol Drejt.
Siç bën të ditur vetë Mehaj përmes një postimi në Facebook, para këtyre ushtarakëve theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në çështje të sigurisë në funksion të interesave të përbashkëta, gjithmonë në dobi të sigurisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
“Lidhjet e ngushta vëllazërore na obligojnë që t’i qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, andaj pashkëputshëm çdoherë e më shumë do të forcohet ky bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes shkëmbimit të përvojave ushtarake në shkollim, trajnime dhe stërvitje të nivelit operacional, taktik dhe strategjik. “, është shprehur Mehaj.
“Akademitë e Mbrojtjes të të dyja shteteve si institucione arsimore do të vazhdojnë ofrimin e ndërsjelltë të shkollimit të kuadrove ushtarake për drejtim dhe planifikim në nivele strategjike.”, ka shtuar tutje./FolDrejt/