Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë i Komandës së Forcave Tokësore, ka realizuar sot ushtrimin fushor në poligonin taktik në Cerrnushë të Mitrovicës, me municion real dhe me këtë rast ka bërë validimin e dy skuadrave të Kompanisë B.
Siç njofton tutje Mehaj, gjatë realizimit të këtij ushtrimi dyjavor, ushtarakët e FSK-së janë aftësuar në qitje me zjarr preciz, kontroll dhe komandë të zjarrit në nivel individual, stërvitje të ekipit për manovrim me zjarr real, si dhe stërvitje të skuadrave me zjarr shkollor dhe atë real.
“Ushtrimi u realizua në kuadër të planit të trajnimeve për vitin 2023 me qëllim të ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve operacionale, si dhe validimin e njësive të këmbësorisë.
Vazhdojmë drejt sukseseve të reja!”, ka shkruar Mehaj tutje në postimin e tij në Facebook./FolDrejt/