Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se procesi i testimeve mjekësore të rekrutëve të rinj po vazhdon, raporton Fol Drejt.
“Përderisa jemi duke vazhduar me testet mjekësore për rekrutët e rinj, për të parë nga afër se si është duke shkuar procesi, sot vizitova regjimentin e mjekësisë në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Ai theksoi se këto teste janë duke u realizuar në koordinim me ministrinë e shëndetësisë, të cilët i falënderoi për bashkëpunimin korrekt gjatë testimeve. Testimet mjekësore janë faza e fundit e procesit të përzgjedhjes së rekrutëve të rinj.
“Ngazëllimi e dëshira për t’i shërbyer vendit, vërehej në fytyrën e secilit nga kandidatët. Ju uroj suksese të gjithëve, bartja e uniformës është nder, krenari por edhe përgjegjësi shumë e madhe. Jam i bindur që këtë përgjegjësi e ndjen secili.”, u shpreh tutje Mehaj. /FolDrejt/