Nëpërmjet një postimi në profilin e tij zyrtar në facebook, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka treguar përfundimin e suksesshëm të pjesëtarëve të FSK-së në trajnimin e kërkim-shpëtimit malor në qendrën e alpinizmit ushtarak në Centro Addestramento Alpino në Aosta të Italisë.
“Gjatë trajnimit, specialistët tanë kanë avancuar shkathtësitë e tyre për qasje tek viktimat në faqe shkëmbore, dhënie të ndihmës së parë, evakuim të viktimave, lëvizje në akullnaja, qasjen në viktimat brenda qarjeve të thella dhe tërheqjen e tyre në vend të sigurtë, kërkim në pyje dhe zona malore, si dhe kërkim në ortek duke përdorur pajisje dhe teknika të avancuara.” – ka shkruar Mehaj.
Tutje ai ka ngritur lart njësitët e kërkim-shpëtimit të Kosovës, duke i konsideruar si shembull i shkëlqyeshëm i profesionalizmit dhe shërbimit vetëmohues në operacionet e shpëtimit përballë të gjitha sfidave që cenojnë sigurinë e qytetarëve të vendit pa dallim./FolDrejt/