Në vazhdën e vizitave të familjeve të dëshmorëve të kombit, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka vizituar sot edhe familjen e Xhevat Nitajt, i rënë në betejën e Koshares, shkruan Fol Drejt.
“Vokshi i Deçanit në themelet e tij ruan krenarinë e saj historike ndër breza.
Si ndër gjithë etapat e lavdisë kombëtare edhe në luftën e fundit çlirimtare i kishte dalzotësit e saj.
Ndër ta, me luftën dhe flijimin e tij heroik ishte edhe luftëtari i lirisë, Dëshmori i kombit Xhevat Nitaj që ra në Betejën e lavdishme të Koshares.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj shtoi se Xhevati ishte në moshë të re, vetëm 21 vjeçar, kur ra heroikisht dhe dha kushtrimin për ardhjen e lirisë.
“Babait të tij, burrit të madh, Bacë Qaushit, i shpreha zotimin se amanetin e Xhevatit dhe gjithë të rënëve për Lirinë, Kombin e Atdheun, jemi duke e kurorëzuar me Ushtrinë e fortë që do të mbrojë dhe ruaj Atdheun tonë përjetësisht.”, tha më tej Mehaj. /FolDrejt/