Kryeministrja italiane Giorgia Meloni mbërriti në Kiev të martën për vizitën e saj të parë në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, vetëm disa ditë para përvjetorit të parë të pushtimit rus, shkruan ANSA, përcjell Fol Drejt.
Ajo do të vizitojë gjithashtu Bucha dhe Irpin, dy qytete me rëndësi të madhe simbolike për rezistencën ukrainase ku u vranë qindra civilë, dhe pasdite do të ketë bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Meloni, e cila u betua si kryeministrja e parë grua e Italisë tetorin e kaluar, ka vazhduar politikën e paraardhësit të saj, ish-kryeministrit Mario Draghi, për të mbështetur me vendosmëri Kievin dhe për të dërguar ndihmë ushtarake.
Ajo pritet t’i theksojë Zelenskyt se mbështetja e Italisë për Kievin do të jetë e palëkundur për sa kohë që ajo të jetë në krye.
Vizita e saj vjen pas zemërimit për komentet kritike ndaj Zelenskyt nga ish-kryeministri dhe udhëheqësi i Forza Italia, Silvio Berlusconi, një nga partnerët e saj të aleancës.
Një tjetër, zëvendëskryeministër dhe ministri i Infrastrukturës, Matteo Salvini, ka shprehur rezerva në të kaluarën për politikën e dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainë.
Lideri i Ligës Salvini, i cili dikur ishte një admirues i presidentit rus Vladimir Putin, ka kritikuar pushtimin e Moskës ndaj fqinjit të saj. /FolDrejt/