Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha sot se qeveria e saj do të fokusohet në punën e grave dhe stimujt për fëmijët, duke shpjeguar se “për shumë vite nuk ka pasur asnjë investim në lindjen”.
Siç raporton agjencia Ansa, ajo deklaroi në hapjen e panairit italian të mobiljeve në Milano se ka shumë gjëra për të cilat qeveria duhet të inkurajojë dhe të punojë, duke filluar nga mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme, përmes mbrojtjes së markave italiane dhe trajnimit të punonjësve.
“Në Itali kemi problem me stabilitetin e sistemit ekonomiko-social, nuk kemi investuar në natalitetin. Gjithnjë e më shumë ka njerëz që kanë nevojë për mbështetje dhe gjithnjë e më pak njerëz që punojnë dhe ky problem zgjidhet në mënyra të ndryshme. Qëllimi është të arrijmë mesataren evropiane dhe të fokusohemi te demografia, duke inkurajuar familjet që të sjellin fëmijë në botë”, tha Meloni, transmeton Fol Drejt.