Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se kanë kuptuar që varësia e tepërt ndaj një vendi është gabim strategjik, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Meloni mbajti një fjalim në mbylljen e Konferencës së 15-të të Ambasadorëve në Romë, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë.
“Kemi kuptuar se varësia e tepërt dhe heqja dorë nga disa vlera është gabim strategjik në aspektin e sovranitetit. Gjithashtu e pamë dhe varësinë nga Rusia për energji. Ne gjithashtu shohim se ndoshta jemi shumë të varur nga Shtetet e Bashkuara në aspektin e sigurisë. Sigurisht, jemi të vetëdijshëm se nuk është mençuri të inkurajonim varësinë nga Kina, derisa të çlirohemi nga varësia e Rusisë”, tha Meloni.
Ajo gjithashtu theksoi se shpenzimet ushtarake janë të nevojshme për të mbrojtur interesat kombëtare.
Duke u ndalur në çështjen e luftës Rusi-Ukrainë, Meloni tha se thjesht shpallja e paqes nuk do të mjaftonte.
“Nëse doni të bindni dy aktorë të ulen në tryezë, rregulli i parë është ekuilibri i fuqive në terren. Pa baraspeshën e fuqive, kjo nuk do të ishte paqe, por pushtim”, tha Meloni.
Duke vënë në dukje se Bashkimi Evropian (BE), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe NATO janë themelet e politikës së jashtme të Italisë, Meloni tha se Italia, megjithatë, duhet të luajë një rol udhëheqës./FolDrejt/