I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar lidhur me 23-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, shkruan Express.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka uruar themeluesit e UÇK-së – Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin “të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh” .
Ai tha se 23 vjet më parë iu dha fund përgjithmonë robërisë dhe vuajtjeve shekullore të popullit të Kosovës.
Pasardhësi i Hashim Thaçit e Kadri Veselit u shpreh falënderues ndaj NATO-s, SHBA-ve dhe shteteve tjera demokratike.
Postimi i plotë:
Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit. 23 vjet më parë, iu dha fund përgjithmonë robërisë e vuajtjeve shekullore të popullit tonë.
23 vjet më parë, për Kosovën nisi një kohë e re, e lirisë, që i hapi rrugë ndërtimit e zhvillimit të vendit. Kështu, rindërtuam shtëpitë e djegura, shkollat e reja, rrugët e autostradat, por edhe administratën, policinë e ushtrinë.
Jetësuam bashkë ëndrrën e shumë brezave për shtet e pavarësi. Për Kosovën e lirë e me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.
Në këtë rrugëtim, u jemi falënderues përjetësisht miqve që na dolën krah, NATO-s e SHBA-ve dhe shteteve të tjera demokratike.
Por, posaçërisht sot, përkulemi para sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, të burgosurve, veprimtarëve e intelektualëve shqiptarë, që u angazhuan ditë e natë për këtë ditë.
Nderojmë me respektin e përjetshëm luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heronjve tanë, që Kosovën e kishin më të shtrenjtën.
Sot, këtë ditë të bekuar, ua urojmë edhe themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe çlirimtarëve të tjerë, të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh.
Këto sakrifica shekullore, që po vazhdojnë edhe sot, na rikujtojnë vazhdimisht çmimin e lartë të lirisë dhe obligimin që kemi për ta çmuar e për ta ruajtur atë.
Urime Dita e Çlirimit, Kosovë!/FolDrejt/