Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, ka thënë se kthimi i PDK-së si partia e parë në vend është meritë e punës së jashtëzakonshme dhe ekipore nga aktivistët.
Ai tha se fitorja e kandidatëve të PDK-së, është një fitore qytetare, për të rikthyer e ruajtur qeverisjet e mira, transparente, të kompetencës e të projekteve madhore në Komunat e Kosovës.
“Mirënjohja më e madhe i takon qytetarëve të Kosovës, për shansin e ri që na dhanë për ta dëshmuar veten, si dhe për kulturën e lartë demokratike që votuesit treguan edhe gjatë këtij procesi zgjedhor. Këtë mbështetje që na u dha, ne nuk do ta konsiderojmë vetëm nder e privilegj, por edhe përgjegjësi e obligim për të punuar me përultësi, dedikim e këmbëngulje në përmbushjen e premtimeve elektorale”, tha Krasniqi.
Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:
Qytetarë të dashur, Faleminderit nga zemra për mbeshtetjen e madhe në këto zgjedhje. Fitorja e kandidatëve tanë është një fitore qytetare, për të rikthyer e ruajtur qeverisjet e mira, transparente, të kompetencës e të projekteve madhore në qytetet tona. Faleminderit secilit aktivist të Partisë Demokratike të Kosovës për punën e jashtezakonshme dhe ekipore, që e ktheu PDK-në të paren në nivel vendi. Ne jemi shumë krenarë me vlerat që përfaqësojmë, me kontributin madhor në liri e shtetndërtim, e me vizionin e qartë e të pastër për të ardhmen e Kosovës. Mirënjohja më e madhe i takon qytetarëve të Kosovës, për shansin e ri që na dhanë për ta dëshmuar veten, si dhe për kulturën e lartë demokratike që votuesit treguan edhe gjatë këtij procesi zgjedhor. Këtë mbështetje që na u dha, ne nuk do ta konsiderojmë vetëm nder e privilegj, por edhe përgjegjësi e obligim për të punuar me përultësi, dedikim e këmbëngulje në përmbushjen e premtimeve elektorale. Na presin edhe shumë punë. Por do të punojmë bashkë, me respekt e kulturë të lartë qytetare e politike. Sepse vetëm kështu, të bashkuar, mund ta shohim Kosovën ashtu si e meriton të jetë, e zhvilluar e demokratike. PDK me krenari do t’i prijë këtij vizioni. Na priftë e mbara!