Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Izbicën.
Këtë Krasniqi e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, transmeton Fol Drejt.
Në postim Krasniqi u shpreh:
“Me 28 mars 1999, në Izbicë koha u ndal. Vdekja mbuloi fshatin. Ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë nuk kursyen askënd. Nga më të vegjëlit e deri te më të moshuarit, 147 civilë të paarmatosur e të pafajshëm, u kthyen në cak të një prej krimeve e masakrave më makabre që u kryen gjatë luftës në Kosovë.
Në mesin e tyre ishte edhe Dafina, pa i mbushur ende 6 muaj, trupi i së cilës u gjet 18 vjet pas vrasjes në varrezën masive të Petrovo Selos në Serbi.
Dhe kjo është vetëm një nga dëshmitë e gjenocidit serb, në mesin e mbi 400 masakrave anekënd Kosovës.
Sot, ne u përkulëm para vendit ku prehen viktimat e kësaj masakre, me dhembje dhe nderim, duke kujtuar shpirtin e tyre qëndrestar, përballë makinerisë vrastare serbe.
Edhe sot, 23 vjet pas luftës, familjet e martirëve, Izbica, Skënderaj, Kosova, presin akoma drejtësi për këtë krim mizor. Drejtësinë do ta kërkojmë përjetësisht – ashtu siç përjetësisht do të jetojmë me kujtimin dhe nderimin e martirëve tanë. Lavdi, sot e përgjithmonë!”/FolDrejt/