Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi zhvilloi takime me ish-kongresmenë, ish-ambasadotë e gjeneralë të pensionuar në ShBA.
Për këtë ai njoftoi në një postim në Facebook, transmeton Fol Drejt.
“Jashtëzakonisht i nderuar që për nder të vizitës time në Washington DC, u prita në një darkë pune shumë produktive me kongresmenë, ish-kongresmenë, ish-ambasadorë, gjeneralë të pensionuar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të rëndësishme në SHBA.
Kongresmenin e Michiganit John Moolenaar, atë të Marylandit Dutch Ruppersberger, të Virginias Ben Cline dhe pjesëmarrësit e tjerë – i njoftova me situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë.
Nga miqtë e mirë të Kosovës, të cilët ndjekin me vëmendje zhvillimet në Kosovë, kërkova që të vazhdojnë kontributin e tyre të rëndësishëm për vendin tonë, posaçërisht në këtë periudhë të sfidave të shumta. Ndihma e miqve amerikanë për garantimin e sigurisë dhe proceseve integruese të Kosovës është më e nevojshme se kurrë më parë.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, së bashku me ish-ambasadorin Ahmet Shala, të gjithë të pranishmit i falënderuam për mbështetjen e tyre historike dhe të vazhdueshme për vendin dhe popullin tonë.
Për Kosovën dhe PDK-në, miqësia dhe aleanca me SHBA-të është e shenjtë!”, u shpreh ai./FolDrejt/