Kohët e fundit ka eskaluar situata në Libi, përkundër thirrjeve të OKB për ndaljen e luftrave në të gjithë botën, si pasojë e pandemisë Kovid19, informon foldrejt.com. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe grupi mercenar rus Wagner, po përpiqen të marrin nën kontroll kryeqytetin Tripoli. Wagner ka 1400 pjesëtarë në Libi.
Ministri i Brendshëm i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB) dhe e mbështetur nga Turqia, Fathi Bashagha, njoftoi se pjesëtarët e firmës ruse të sigurisë që luftojnë në anën e gjeneralit rebel Khalifa Haftar kanë përdorur gaz kimik nervor në kryeqytetin Tripoli.
“Milicitë të lidhura me (firmën) Wagner përdorën gaz nervor kundër njësive tona të armatosura në rajonin Salahaddin në jug të kryeqytetit Tripoli”, tha Bashagha në një konferencë për media.
“Ne kemi një bashkëpunim të fortë me Turqinë, SHBA-në dhe Britaninë për arritjen e sigurisë në Libi”, theksoi Bashagha, duke shtuar se edhe Tunizia dhe Algjeria gjithashtu po i ofrojnë vendit mbështetje në çështjet e sigurisë.
Ai deklaroi se milicitë e lidhura me Khalifa Haftar, drejtuesin e forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit, kanë mbyllur valvulat e gazit natyror që furnizojnë termocentralet dhe shtoi se militantët duhet të tërhiqen nga ato rajone./Foldrejt.com