Mërgata jonë është pjesë integrale e fuqishme e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në tryezën e rrumbullakët mbi të drejtat e diasporës, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm që ka mërgata për Republikën e Kosovës, kryeministri Kurti bëri të ditura nismat e Qeverisë për të angazhuar diasporën, marrë për bazë që diaspora sjellë dy burime shumë të rëndësishme në vend: të mirat materiale dhe njohuritë, transmeton Fol Drejt.
Ne e shohim mërgatën si kapital njerëzor, para se ta shohim si kapital financiar, tha kryeministri. Për këtë arsye jemi duke u fokusuar në krijimin e programit nacional, që në bazë ka transferin e dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, shtoi ai.
Duke vlerësuar se diplomacia dhe diaspora janë të pandashme në shumë fusha, kryeministri bëri të ditur angazhimin e Qeverisë për zhvillimin e një dialogu të gjithanshëm me qytetarët tanë jashtë vendit, si dhe punën për një strategji të re për diasporën, e një projektligj të ri.
Kryeministri ritheksoi zotimin për të punuar bashkë me mërgatën, për të mirën e përbashkët edhe të mërgatës edhe të Republikës sonë, që është reflektuar edhe në Programin e Qeverisë.
Në këtë tryezë morën pjesë Zëvendëskryeministrja, njëherit Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zëvendësministrja, Liza Gashi, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues të Presidencës, përfaqësues të odave ekonomike dhe të organizatave të shoqërisë civile./FolDrejt/