Kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e anashkalojnë problemin e racizmit në Gjermani teksa diskutojnë intensivisht për racizmin dhe brutalitetin e policisë në SHBA pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Kjo vrasje e George Floyd është shumë, shumë e tmerrshme. Racizmi është diçka e tmerrshme”, tha Merkel në një intervistë ekskluzive për transmetuesin publik ZDF.
“Racizmi ka qenë gjithmonë i pranishëm, por fatkeqësisht edhe ne e kemi atë. Së pari duhet të fshijmë para derës sonë”, theksoi ajo.
Merkel u përmbajt nga kritikat e hapura ndaj presidentit amerikan Donald Trump mbi trajtimin e tij të protestave pas vrasjes së George Floyd, por shprehu shqetësim për polarizimin në rritje në shoqërinë amerikane dhe shprehu shpresë për pajtim.