Kremlini tha të Premten se oferta e Presidentit Vladimir Putin për të folur në telefon me Presidentin e SHBA Joe Biden kishte për qëllim të parandalonte një keqësim të plotë të marrëdhënieve, pas komenteve të zotit Biden se udhëheqësi rus është një vrasës, shkruan VOA.
Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se Presidenti Putin e bëri të qartë se “është e logjikshme të bisedohet për të ruajtur marrëdhëniet Rusi-SHBA, në vend që të shkëmbehen akuza”. Zëdhënësi tha se Presidenti Putin dëshiron të ndihmojë në zbutjen e tensioneve pas komenteve të Presidenti Biden, që ai i quajti “shumë të këqija”.
Shtëpia e Bardhë u përgjigj të premten se Presidenti Biden do të takohet me udhëheqësin rus “kur të jetë koha e duhur”.
Në një intervistë të transmetuar të mërkurën, Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht, kur u pyet nëse mendonte se Putini ishte një “vrasës”. Rusia reagoi, duke tërhequr ambasadorin e saj në Uashington për konsultime ndërsa të enjten Putini theksoi historinë e skllavërisë në Amerikë, masakrimin e amerikanëve indigjenë dhe hedhjen e bombës atomike në Japoni gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u përgjigj se “atë që thua për tjetrin, e ke thënë për veten”.