Mesatarisht, palestinezi në Gaza jeton me dy copa bukë arabe të prodhuara nga mielli që Kombet e Bashkuara kishin grumbulluar në rajon, megjithatë shprehja kryesore që po dëgjohet tani në rrugë është “Ujë, ujë”, thanë drejtoria e Gazës për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë.
Siç raporton Associated Press, Thomas White nga OKB-ja, i cili tha se ai udhëtoi “gjërë e gjatë” në Gaza në javët e fundit e përshkroi vendin si “skenë vdekjeje dhe shkatërrimi”.
Agjencia palestineze e refugjatëve, e njohur si UNRWA, po mbështet rreth 89 furra buke në të gjithë Gazën, duke synuar të sigurojë bukë për 1.7 milion njerëz, u tha White diplomatëve nga 193 vendet anëtare të OKB-së në një video-konferencë nga Gaza.
Por, tha ai, “tani njerëzit janë përtej kërkimit të bukës, kërkojnë ujë”.
Zëvendës-koordinatorja e OKB-së për Lindjen e Mesme, Lynn Hastings, e cila është gjithashtu koordinatore humanitare për territoret palestineze, tha se vetëm një nga tre linjat e furnizimit me ujë nga Izraeli është funksionale.
“Shumë njerëz po mbështeten në ujërat nëntokësore të njelmëta ose të kripura,” tha ajo.
Në konferencë, shefi humanitar i OKB-së, Martin Griffiths tha gjithashtu se po zhvillohen negociata intensive midis autoriteteve nga Izraeli, Egjipti, Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara për lejimin e hyrjes së karburantit në Gaza.