Një hap kyç është bërë në rikthimin e Lionel Messit te Barcelona. Babai dhe agjenti i futbollistit argjentinas janë takuar me presidentin e klubit katalanas, Joan Laporta dhe kanë nisur negociatat për rikthimin e tij te Barcelona, raportojnë shumë media europiane, ndër to edhe mediumi kroat Indexhr.
Messi është nën kontratë me PSG-në vetëm deri në fund të sezonit aktual dhe ndonëse ka mundësi ta zgjasë bashkëpunimin edhe për një vit shtesë, për momentin nuk duket se do të vendosë të qëndrojë në Paris.
Pavarësisht se ka shënuar 19 dhe asistuar 18 gola në 34 ndeshje dhe është lojtari më i mirë në kampionatin francez përpara Kylian Mbappes (7.69) sipas vlerësimit mesatar (8.25), Messi nuk gëzon mbështetjen e tifozëve të klubit. Ata i fishkëllojnë Messit dhe e bëjnë të largohet me gjestet e tyre. Barcelona po bën pikërisht të kundërtën. Edhe pse nuk është në klub, ata brohorasin emrin e tij dhe futbollistët e klubit katalanas dhe vetë presidenti Laporta kanë folur për rikthimin e tij të mundshëm.
Barcelona duhet të zgjidhë situatën e vështirë financiare për t’i ofruar Messit kushte të kënaqshme financiare për rikthimin e tij në klub, transmeton Fol Drejt.