PSG pezulloi Lionel Messin për dy javë pasi udhëtoi pa leje drejt Arabisë Saudite vetëm pak orë pas humbjes nga Lorient (1:3) në xhiron e 33-të të kampionatit francez. Argjentinasit, një prej futbollistëve më të mirë në histori, i skadon në fund të sezonit kontrata me klubin parisien.
Shumë besojnë se kjo është një shenjë përfundimtare e ndarjes mes Messit dhe PSG-së pas dy vitesh. Prej muajsh është përfolur se Barcelona po punon për ta rikthyer në Spanjë, ku ka ndërtuar një karrierë të gjatë e të pasur atje. Tashmë është lajmëruar edhe Messi në Instagram, i cili ka kërkuar falje në një video:
“Mendova se si gjithmonë do të kishim një ditë pushim pas ndeshjes. Tashmë e kisha organizuar udhëtimin dhe nuk mund ta anuloja. Tashmë e kisha shtyrë më herët për shkak të detyrimeve. Kërkoj falje për shokët e skuadrës dhe jam në pritje për të parë se çfarë do të vendosë klubi”, tha Messi, transmeton Fol Drejt.