Në intervistën e tij të parë të gjatë që nga përfundimi i Botërorit, Lionel Messi ka folur për gjestin e tij provokues në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës kundër Holandës.
Lionel Messi dha intervistën e tij të parë pak më të gjatë pas përfundimit të Kupës së Botës në Katar dhe në të mundi të prekë nga një distancë kohore tashmë ngjarjet që kanë shënuar përgjithmonë historinë e futbollit botëror.
Messi në një intervistë për Urbana Play ka treguar ndër të tjera se pas përfundimit të Kupës së Botës ka marrë aq shumë mesazhe private në Instagram, sa Instagrami ia ka bllokuar aksesin për një kohë, si dhe ka folur hapur edhe për ngjarjet e ndeshjës çerekfinale kundër Holandës, kur pas fitores i bëri një gjest provokues trajnerit holandez Louis vas Gaal.
Messi shpjegoi se nuk ndjehet krenar për këtë gjest, por se është ndikuar nga shumë arsye. Njëra është nervozizmi gjatë ndeshjes, tjetra janë fjalët e Van Gaalit në konferencën për shtyp para ndeshjes dhe e treta është edhe miku i tij Juan Roman Riquelme, i cili si ish-futbollist i Barcelonës kishte shumë probleme me Van Gaalin.
Van Gaal deklaroi një ditë para ndeshjes kundër Holandës se Messi ka një të metë që Holanda duhet ta shfrytëzojë.
“Kur Argjentina humbet topin, Messi nuk bën shumë. Ai nuk ndihmon në mbrojtje dhe kështu ata kanë një lojtar më pak në fushë. Ky është shansi ynë,” kishte thënë Van Gaal, i cili vështirë se mund të fajësohet se nuk ka pasur të drejtë në këtë rast.
Pas kësaj argjentinasi i bëri një gjest Van Gaalit pas fitores në penallti, me të cilin në mënyrë demonstrative e provokative i tregonte se nuk e dëgjonte mirë.
“Festimi im kundër Holandës? Ishte një reagim i natyrshëm. Disa nga shokët e mi më thanë se çfarë tha Van Gaali një ditë para ndeshjes. Nuk më pëlqen që mbeti ky imazh, por kështu ishte. Kishte shumë nervozizëm”, tha Messi, transmeton Fol Drejt.