Punëtorët e ndërtimit të Koresë së Veriut të vendosur në Rusi kanë nisur të arratisen pasi kanë marrë vesh se janë caktuar të punojnë në zonat e kontrolluara nga Rusia në Ukrainë.
Kërkesa e lartë për ndërtim në rajonin e Donbasit të Ukrainës, të dëmtuar rëndë nga lufta, ka çuar në një nevojë të shtuar për punëtorë dhe emigrantët koreano-veriorë që përbëjnë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore.
Duke pasur frikë për jetën e tyre mes konfliktit Ukrainë-Rusi , një mori punëtorësh koreano-veriorë në vend të kësaj po zgjedhin të ikin nga puna dhe të fshihen, raportoi Radio Free Asia.
“Pasi morën lajmin se punëtorët së shpejti do të zhvendoseshin në një kantier të ri ndërtimi në Ukrainë dhe se duhej të rregullonin gjithçka deri në fund të shtatorit, shumë prej tyre janë arratisur. Nuk janë vetëm punëtorët e ndërtimit, por edhe zyrtarët e menaxhimit që po shpëtojnë”, tha një burim i paidentifikuar për median në fjalë.
Kujtojmë se Koreja e Veriut ka dërguar punëtorë krahu jashtë shtetit për vite me radhë, zakonisht duke mbajtur shumicën e pagave të punëtorëve për vete, duke i siguruar vendit të izoluar një furnizim me valutë të huaj.
Pavarësisht se u hiqet pjesa më e madhe e asaj që ata fitojnë, punëtorët ende marrin më shumë para duke e bërë këtë se sa do të punonin në shtëpi në Korenë e Veriut. /abcnews.al/