Në shtetin Ohio të ShBA-së u vendos në zbatim një ligj i cili lejon mësuesit të mbajnë armë në shkolla pas një periudhe të shkurtër trajnimi prej 24 orësh.
Projektligji i cili u pranua në këshillin rajonal të Ohios, u bë ligj pasi u nënshkrua nga guvernatori Mike DeWine, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai në një deklaratë për radion lokale WFMJ tha se duhet të ndërmerren masa për parandalimin e sulmeve të armatosura në rritje në shkolla. “Prania e një punonjësi të policisë në shkollë është më e mira, por çdo shkollë mund të mos e ketë këtë mundësi”, shtoi DeWine.
Ndërsa Federata e Mësuesve në Ohio dhe Shoqata Arsimore në Ohio në një deklaratë të përbashkët, ligjin në fjalë e kanë cilësuar si “të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm” dhe kanë vënë në dukje se me ligjin që ka hyrë në fuqi, nëpër shkolla do të futen armë pa pasur trajnim të mjaftueshëm dhe se nxënësit do të jenë më pak të sigurt.
Ligji i ri që njihet si “Projektligji parlamentar 99” lejon mësuesit në shkollat e arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët (9 vjeçare) dhe arsimit të mesëm të lartë (gjimnaz), që të mbajnë armë pas një trajnimi që nuk i kalon 24 orë.
Në 28 shtete të SHBA-së, mësuesit që kanë leje për të mbajtur armë në mënyrë të fshehtë, lejohen të sjellin armët e tyre në shkollë me dijeni dhe miratimin e administratës së shkollës./FolDrejt/