Presidenti Meta nisi paraditen e të shtunës dekretimin e ndryshimeve në Qeveri, një ditë pasi nga selia e Kryeministrisë i kishin mbërritur në tryezën e tij propozimet me firmën e Edi Ramës.
Kreu i Shtetit ka dekretuar shkarkimin nga detyra të zv/kryeministres Senida Mesi dhe të ministrave Nikolla, Ahmetaj, Gjiknuri, Peleshi, Kumbaro dhe Qato, shkruan TCH.
Çfarë bie në sy është fakti se Presidenti Meta nuk ka dekretuar shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, ndonëse nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë.
Për t’i paraprirë një situate të ngjashme me atë të krijuar disa javë më parë me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi, burime nga Kryeministria i thanë Top Channel se Kryeministri Rama këtë herë preferoi t’ia dërgonte vetë emrat Presidentit Meta, me të cilin është takuar mbrëmjen e të premtes.
Nga ministrat e rinj, Meta dekretoi emërimin brenda pak orëve vetëm të atyre katër që janë pjesë e Parlamentit. Bëhet fjalë për dekretimin si zv/kryeministër të Erion Braces, dhe si ministra të Bledi Cucit, Eduard Shalsit dhe Elisa Spiropalit, për të cilët Kreu i Shtetit duket se ka respektuar parimin se nëse plotëson kriteret për të qenë deputet mund të jesh edhe ministër.
Për emrat e tjerë të propozuar nga Rama, konkretisht Besa Shahinin si ministre e Arsimit, Gent Cakën si ministër i Jashtëm, Anila Denaj si ministre e Financave, Belinda Balluku si ministre e Transportit dhe Energjisë dhe Elva Margariti si ministre e Kulturës, Presidenti Meta mësohet se ka nisur një proces verifikimesh për të cilat Kushtetuta i njeh 7 ditë kohë, përcjell foldrejt.com.
Ministrat e rinj pritet të miratohen nga Parlamenti me nisjen e sesionit të ri më 21 janar.